Rreth tetë vite më parë, traditës së gjatë dhe të begatshme arsimore të komunës së Prizrenit, iu shtua edhe një institucion i rëndësishëm arsimor: Gjimnazi Shoqëror-Gjuhësor "Remzi Ademaj".
Formimi edhe i një shkolle të mesme të lartë në Prizren, erdhi si domosdoshmëri për të sistemuar numrin e madh të nxënësve, të interesuar për të ndjekur mësimet në gjimnaz.
Propozimi për profilizimin e Gjimnazit "Gjon Buzuku" në dy gjimnaze, në shkencor-natyror dhe shoqëror-gjuhësor, fillimisht erdhi nga vetë gjimnazi "Gjon Buzuku", më pastaj Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren këtë propozim ia dërgoi MASHT-it, i cili e miratoi me vendim nr. 923/B, datë:16.06.2010 duke e emëruar si Gjimnazi "Gjon Buzuku-2". Në nëntor të po këtij viti zgjedhet udhëheqësia e këtij gjimnazi, ndërkaq drejtor zgjedhet Sali Ademaj.
Më 20.06.2011 me propozimin e Këshillit drejtues të shkollës, Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren i dërgoi MASHT-it kërkesën që ky gjimnaz të bëhet institucion i pavarur duke i propozuar që të emërtohet me emrin e dëshmorit Remzi Ademaj-Komandant Petriti i shpallur "Hero i Kosovës", për veprën dhe sakrificën e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo kërkesë u miratua nga MASHT-i me vendimin 01 B/138, dhe që nga viti 2011 ky gjimnaz vepron dhe punon si institucion i pavarur.
Gjimnazi "Remzi Ademaj" tani çdo vit me radhë regjistron rreth 1500 nxënës në dy drejtime :shoqëror dhe gjuhësor. Natyrisht numri më i madh i tyre, përkatësisht 1179 nxënës mësimet i ndjekin në qendër në Prizren në 28 paralele. Pjesa tjetër vijon mësimet në 9 paralele të fshatrave: Zhur, Zym dhe Velezhë. Me nxënësit punojnë 53 mësimdhënës të kualifikuar, shumica të trajnuar sipas metodave dhe modeleve bashkëkohore të mësimdhënies. Ky gjimnaz së fundi është kompletuar edhe me staf administrativ dhe pedagogjik, përkatësisht me sekretar dhe pedagog të shkollës. Përveç stafit menaxherial, shkolla ka edhe grupin e punëtorëve teknikë: shtëpiakun e shkollës, roja, fokisti dhe katër punëtor ndihmës.
Gjimnazi viteve të fundit është pajisur me biblotekë, kompjuterë dhe videoprojektor nëpër klasët mësimore, duke u mundësuar mësimdhënësve dhe nxënësve një mësim të digjitalizuar dhe bashkëkohor në shumë aspkete.
Çështje problematike, si në shumicën e shkollave në këtë qytet, mbetet hapësira e pamjaftueshme shkollore për nxënësit, personelin menaxhues dhe arsimor, e po ashtu edhe hapësira adekuate për punë praktike e kabinetike.
Përkundër këtyre vështirësive objektive, brenda një periudhe të shkurtër kohore, Gjimnazi "Remzi Ademaj" ka arritur të sistemohet dhe radhitet si një ndër institucionet arsimore më të profilizuara dhe shumë serioze në arsimimin dhe edukimin e të rinjve dhe rejave të komunës së Prizrenit. Dëshmi e kësaj janë edhe sukseset dhe arritjet e larta të nxënësve të diplomuar në këtë gjmnaz, të cilët në bazë të hulumtimeve tona sot janë ose ekspertë të dalluar në tregun e punës, ose studentë të dalluar nëpër Universitetet e Republikës së Kosovës dhe më gjerë.
- VIZIONI I SHKOLLËS -Brenda dhjetë viteve shkolla jonë do të transformohet në shkollë cilësore, gjithëpërfshirëse, ku të gjithë e japin dhe kërkojnë ta marrin maksimumin e vet.
Promovim, qëndrueshmëri dhe vazhdimësi të vlerave të shkollimit.
Edukimi dhe arsimimi i mirëfilltë i të gjithë nxënësve, duke u mundësuar dhe ndihmuar ta aplikojnë në praktikë atë që kanë mësuar në shkollë dhe të dijë:
-të veprojë
-të mbijetojë
-të bashkëjetojë me të tjerët
-të transformojë veten dhe shoqërinë
-mundësi të barabarta për të gjithë.